Organizata Evropiane e Drejtësisë Publike
Organizata Evropiane e Drejtësisë Publike (EPLO) është themeluar në vitin 1995 dhe është një organizatë ndërkombëtare me seli në Athinë, Greqi, mandati specifik i së cilës është krijimi dhe shpërndarja e njohurive në fushën e së drejtës publike dhe promovimi i vlerave Evropiane përmes ligjit publik në gjithë botën. Për këtë qëllim, EPLO organizon dhe mbështet bashkëpunimin teknik, veprimtaritë arsimore, shkencore dhe kërkimore në Evropë dhe në mbarë botën.
Bordi i Drejtorëve të Organizatës përbëhet nga 16 Shtetet Anëtare (Greqia, Italia, Qiproja, Franca, Portugalia, Estonia, Hungaria, Serbia, Moldavia, Azerbajxhani, Armenia, Ukraina, Gjeorgjia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria), Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës dhe mbi 69 universitete dhe institucione nga 35 vende. Këshilli Shkencor i EPLO përbëhet nga Grupi Europian i të Drejtës Publike (EGPL), i cili përfshin 255 gjyqtarë kryesorë evropianë, juristë, akademikë ligjorë dhe praktikantë në fushën e të drejtës publike. EPLO ka themeluar 4 degë, në Moldavi, Rumani, Qipro dhe Armeni dhe 7 zyra rajonale, në Bosnje dhe Hercegovinë, Bruksel, Nikaragua, Ukrainë, Meksikë, Iran dhe Sllovaki. Organizata ka 62 anëtarë të personelit dhe një rrjet prej mbi 1500 bashkëpunëtorë shkencorë dhe ekspertë.
EPLO implementon një numër të madh projektesh të bashkëpunimit teknik që ndihmojnë qeveritë dhe institucionet në mbarë botën në promovimin e sundimit të ligjit, drejtësisë, reformës së administratës publike, reformave rregullatore dhe legjislative, të drejtave të njeriut, proceseve të demokratizimit, zbatimit të ligjit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në kuadër të kësaj kornize, EPLO kryen veprime të tilla të ndryshme, si ofrimi e këshillave teknike ligjore për autoritetet kombëtare, trajnimin e gjyqtarëve dhe shërbyesve civilë, ngritjen e kapaciteteve dhe institucioneve të drejtuara në modernizimin dhe përmirësimin e strukturave dhe institucioneve publike ose synojnë fuqizimin e shoqërisë civile dhe të organizatave lokale Jo-Qeveritare, hulumtime dhe ngritje të vetëdijes publike. Në 20 vitet e ekzistencës së sajë, EPLO ka implementuar mbi 200 projekte të bashkëpunimit teknik në të gjithë botën, duke përfshirë Evropën, vendet e Mesdheut, Ballkanin, Kaukazin dhe Shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Jugore, Afrikën, si dhe Amerikën Latine. Komisioni Evropian është donatori kryesor i projekteve të bashkëpunimit teknik të EPLO-s.
EPLO është gjithashtu një Trup i Mandatuar i Republikës Helene për implementimin e projekteve të Bashkimit Evropian për Binjakëzim. Projekte të tilla ndihmojnë vendet kandidate të BE dhe vendet e Politikës Evropiane të Fqinjësisë në zhvillimin e administratave publike moderne dhe efikase, me strukturat, burimet njerëzore dhe aftësitë menaxhuese të nevojshme për të zbatuar “acquis communautaire” (aktet ligjore të BE) në të njëjtat standarde si Shtetet Anëtare. Deri më sot, EPLO ka implementuar 36 Projekte të Binjakëzimit në shumë vende dhe sektorë, duke përfshirë: drejtësinë dhe sundimin e ligjit, administratën publike, reformat rregullatore dhe legjislative, doganat dhe tatimet, zbatimin e ligjit, të drejtat e pronësisë intelektuale, menaxhimin e kufijve, mjedisin dhe bujqësinë.